Lajme

NPB-ja ndërmarrje publike e Prishtinës apo pronë private e (ish)menaxherëve

Në Ndërmarrjen Publike Banesore, si anëtare e Bordit të Drejtorëve fillova punën në Janar 2015, në një mënyrë kryesisht jo-tipike të angazhimit në ndonjë institucion publik sot në Kosovë: iu përgjigja thirrjes së Komunës së Prishtinës në gazetë nga dëshira për përvojë institucionale, meqë pjesën më të madhe të përvojës sime në Kosovë e kisha me organizata të huaja por edhe me idenë që t’i kontribuoj zhvillimit të qytetit tim të lindjes.

U ftova në intervistë dhe nisa të hulumtoja për ndërmarrjen që të shkoja e përgatitur në intervistë, siç bëjnë punëkërkuesit anë e mbanë botës së zhvilluar. Por nuk ishte aq e lehtë. Edhe pse lindur e rritur në kryeqytet, nuk është se kisha dëgjuar për ndonjë aktivitet të NPB-së e as nuk dija se ku ishin me zyre.

Në vitin 2015, NPB-ja nuk kishte as faqe te internetit kështu qe e vetmja mundësi e imja për t’u informuar ishte nga prindërit e mi, të cilët e kujtonin atë si BVI-në e dikurshme.

Kalova procesin e intervistimit nga tre aksionarë të NPB-së dhe u pranova në bazë të asaj se çka prezantova në intervistë, dhe u pranova me meritë, pa përkrahje politike meqë nuk i takoj asnjë partie politike.

Në momentin që u krijua Bordi i ri i Drejtorëve duhej të merreshin vendime bukur të vështira, më saktësisht vendime për largimin e zyrtarëve të lartë të NPB-së që kishin ardhur aty pa konkurs dhe ishin shkelës të ligjit. Por ky ishte veprim i domosdoshëm meqë nëse këta zyrtarë të lartë do të vazhdonin të qëndronin aty, atëherë unë do të bëhesha shkelëse e ligjit, po ashtu.

Fillimisht me shokoi ideja që në këtë epokë të digjitalizimit, stafi i Ndërmarrjes nuk kishte të instaluar infrastrukturë të komunikimit intern, apo intranet që mundëson komunikim shumë më të lehtë, efikas e më të sigurtë. Habia e radhës ishte se nuk mund të gjindej Statuti i NPB-së, ku përkufizohen qarte përgjegjësitë e aksionareve dhe bordit. Tërë ndërmarrja kishte një kopje të vetme të shtypur që duhej ruajtur e konservuar, si të ishte papirus nga kohët e Egjiptit të lashtë. Nuk kishte fare kopje elektronike, ku stafi do të kishte qasje.

Si bord i ri i drejtorëve na u desh të angazhohemi për rekrutimin dhe përzgjedhjen e Kryeshefit ekzekutiv. Aty pashë paradoksin e radhës – stafi përgjegjës nuk kishte haber për procedurat e rekrutimit – informimit të kandidatëve të përzgjedhur për listë të shkurtë, intervistimin, poentimin e kandidatëve që përfundimisht do të rezultonte me përzgjedhjen e kandidatit më të suksesshëm. Si ishte bërë kjo punë më parë? Me selam?

Rekrutimi megjithatë rrodhi pa as më të voglin problem dhe kandidati i suksesshëm u përzgjodh në bazë të kualifikimeve, përvojës e performancës në intervistë, pa presione, pa kërkesa për favore.

Por menaxhmenti i ri [përfshirë edhe ne, anëtarët e Bordit] në vend se të orientohet në zhvillimin e Ndërmarrjes, prej fillimit është dashur të merremi me probleme, kryesisht sabotimet nga stafi i ndërmarrjes. NPB-ja ndër vite u kishte shërbyer vetëm punëtorëve të saj, shumica dërrmuese e të cilëve shfrytëzonin lokalet dhe pronat e NPB-së, dhe atë jo për të ushtruar ndonjë veprimtari, por për t’i lëshuar me qira. Kjo në terminologjinë e ndërmarrjes quhet “qira mbi qira” e që është shkelje me dy

këmbë e kontratës me Ndërmarrjen. Meqë kjo ishte praktikë e përhapur dhe e papenguar nga menaxhmenti i mëparshëm, edhe ne u përcaktuam për një qasje ‘më të butë’, i ofruam stafit mundësi për të zgjedhur: mund të mbanin lokalin ose vendin e punës. Meqë dëshira e një pjese të mirë të punëtorëve për të punuar në ndërmarrje ishte minimale apo nuk ekzistonte fare, u mundësuam pensionimin e parakohshëm disave që pranuan.

Megjithë sfidat edhe rezultatet ishin të dukshme, e që na jepte ne anëtarëve të Bordit kënaqësi e motivim. Për herë të parë në histori të ekzistimit të Ndërmarrjes ne krijuam faqe të internetit ku secili qytetar i Prishtinës ka mundësi të marrë informata për Ndërmarrjen dhe aktivitetet e saj, e që është edhe e drejtë e tyre. Filluam të mendojmë edhe për shfrytëzimin më të mirë të pronave të ndërmarrjes, lëshimin me qira, edhe pse kishim vështirësi të gjenim listën e plotë të tyre. Po, e vërtetë, Ndërmarrja nuk kishte inventar të plotë të pronave të saja në kryeqytet, dhe hektarët i zhdukeshin nga viti në vit, e le më banesat e lokalet.

Për herë të parë thirrja për aplikim bëhet në mënyrë publike në gazetë ku ftohen qytetarët që të aplikojnë për të shfrytëzuar me qira lokalet e NPB-së. Për herë të parë dizajnuam formë aplikimi për lokale me qira, kjo nuk ishte bërë kurrë më parë në ndërmarrjen e pas luftës.

E tërë kjo punë e angazhim, por asnjë dite pa abuzim sistematik psiqik nga njerëz te ndryshëm që vijnë tek NPB-ja si “aksionarë të rinj”, si “bord i ri”, me padi të ngritura nga bordi e menaxhmenti i kaluar që e kishte sjellë ndërmarrjen në këtë pikë. E kanë shfrytëzuar prej pasluftës këtë ndërmarrje si të ishte pronë e tyre personale. Dhe në fund marrin guximin të padisin madje edhe presin dëmshpërblim.

Por kishin arsye. E vërtetë se fituam disa raste në gjykata pas provave e dokumenteve të panumërta. E bënim këtë me zellin më të madh duke e ditur potencialin e ndërmarrjes për të krijuar pasuri publike e vende pune. Megjithatë shumica e rasteve tona, megjithë ato prova e dokumente, presin gjatë për tu marrë në shqyrtim nga gjykata. Kjo nuk ndodh në rastet kur ne paditemi nga ish-menaxhmenti. Është për t’u befasuar vigjilenca dhe gatishmëria e disa gjykatësve për tu vënë në aksion sapo ish menaxhmenti deponon padi kundër bordit dhe menaxhmentit të ri apo NPB-se. Presin me llupë për më të voglin gabim. Drejtësi selektive pa dyshim.

Fokusi ynë gjatë tërë kohës ka qenë në funksionalizmin e NPB-së dhe nuk kemi mundur të përqendrohemi shumë me hulumtimin e rasteve të keqpërdorimit por si duket do të detyrohemi të shndërrohemi në Sherlok Holmsa e ta qartësojmë njëherë e mirë kush e çfarë ka bërë në këtë ndërmarrje.

Për mua personalisht, kjo përvojë është e jashtëzakonshme. Ndoshta më shumë se jetën institucionale, arrita të kuptoj në çfarë derexhe ka rënë një pjesë e shoqërisë tek ne. Derisa nuk u angazhova në këtë ndërmarrje, kurrë nuk do të kisha besuar se dikush çohet e niset për në punë me motivin kryesor që të vjedh diçka/ përfitoj sot, ta nxjerr ditën. Keqpërdorime prej lokaleve e banesave e deri te nafta e tonerët për printerë. Bashkëqytetarët e mi janë në gjendje të falimentojnë ndërmarrjen që ua siguron bukën qindra vetëve vetëm për interesa të dy tre vetëve në Ndërmarrje.

Ajo që më habit më së shumti janë komentet e prishtinasve të mi, të llojit “Do t’ju largojnë së shpejti, sepse j’ua keni trazu ujërat…”. E pse të më largojnë mua: që nuk vodha, nuk uzurpova lokal, banesë a pronë? Çka është vlerë sot tek ne? A të vazhdojmë t’i shpërblejmë njerëzit që shkelin ligjin dhe shkatërrojnë vendin? T’i largojmë njerëzit që japin gjithçka prej vetes për themelim të sistemit të vlerave të mirëfillta dhe punojnë për të mirën publike?

Po ju rikujtojë që Ndërmarrja Publike Banesore, është pronë e Komunës së Prishtinës, me kapital publik. Si e tillë kjo ndërmarrje ka për qëllim menaxhimin e drejtë dhe ruajtjen e pasurisë së saj e cila pasuri është e publikut, në këtë rast e të gjithëqytetarëve të Prishtinës. Kompensimi i stafit është paga mujore e jo hektarët, banesat e lokalet e komunës. Dhe nuk ka asnjë dyshim se kështu do të jetë përderisa kjo ndërmarrje të jetë nën menaxhimin tonë.

Shqipe Breznica, anëtare e Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore

Na kontaktoni

Adresa: Rr. Zija Shemsiu Nr. 22. Prishtinë, Kosovë.

Lidhu me ne

Ne jemi në rrjetet sociale. Na ndiqni dhe na kontaktoni.