Lajme
Komunikatë në lidhje me mosekzekutimin e vendimit gjyqësor nga Thesari i shtetit
Ndërmarrja Publike Banesore kërkon nga Departamenti i Thesarit i Republikës së Kosovës të zbatoj vendimin gjyqësor në lidhje me kompensimin e vlerës për pronat e shpronësuara nga Qeveria e Kosovës, me Vendimin Përfundimtar – Nr.09/29 dt.03.08.2011, të cilat kanë qenë pjesë e trasesë për ndërtimin e rrugëve M9 Fushë Kosovë dhe M2 Prishtinë-Mitrovicë, segmenti Prishtine-Milloshevë, tek rreth rrotullimi në Prishtinë.
Më dt.17.06.2015 në bazë të Ligjit Për Procedurën Përmbarimore në cilësi të Kreditorit NPB ka bërë propozimin tek zyra përmbarimore VAIS Law për nxjerrjen e Urdhrit Përmbarimor, përkatësisht detyrimin e Ministrisë së Financave, që në emër të përmbushjes së obligimeve t’ia paguaj Ndërmarrjes Publike Banesore shumën prej 5,4 milionë euro nga Vendimi Përfundimtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe kamatën ligjore 2,5 milionë euro nga data kur kërkesa është bërë e arritshme (08.08.2011).
Ndaj këtij urdhri debitori, Ministria e Financave, pati ushtruar kundërshtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar të anulohet Urdhri Përmbarimor por Gjykata Themelore e ka refuzuar si të pa bazuar kundërshtimin e Ministrisë së Financave, dhe e ka lënë në fuqi urdhrin përmbarimor. Me këtë rast, vendimi përfundimtar tashmë është bërë i ekzekutueshëm. Ministria e Financave ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit e cila më dt. 28.02.2018 ka refuzuar si të pabazuar Ankesën e Debitorit.
Nga data e dorëzimit të urdhrit P.nr.962/15 të dt. 28.12.2015 në Thesar kanë kaluar mbi 2 vite dhe ende nuk është ekzekutuar vendimi në fjalë. Ministria e Financave, me vetëdije vazhdimisht e ka shkelur ligjin, ka rritur shpenzimet dhe ka penguar të gjitha projektet e Ndërmarrjes Publike Banesore,
NPB për të njëjtën çështje i është drejtuar edhe Z. R. Haradinaj, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, më datë 27.02.2018. Andaj edhe një herë kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që ta zbatoj ligjin dhe të paguaj obligimin ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore, pasi që çdo vonesë është kosto për tatim paguesit e Kosovës dhe rendon buxhetin e vendit.
Zbatimi i vendimeve gjyqësore është detyrë parësore e institucioneve tona dhe moszbatimi i tyre krijon precedent të rrezikshëm në të ardhmen.
Ndërmarr Publike Banesore
27 mars 2018