Lajme

Ndërmarrja Publike Banesore fillon investimin në ndërtesat e kryeqytetit

Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore, Nexhat Kryeziu, bashkë me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, si dhe udhëheqësin e projektit të mirëmbatjës në NPB, Drilon Pirevën, prezantuan sot projektin e ri për renovimin e hapësirave të përbashkëta të ndërtesave shumëbanesore. Me këtë rast, u prezantua puna e bërë në renovimin e hyrjës së parë e cila do të jetë hyrje model për ndërtesat e vjetra të kryeqytetit.

Drejtori i NPB, Nexhat Kryeziu, theksoi se një investim i tillë po bëhet për herë të parë, dhe pritet që të ketë shumë sukses për shkak se kërkesa e qytetarëve për shërbime të tilla është shumë e madhe. “Përmes planit operativ së pari do të intervenojmë në hyrjet të cilat e kanë më të nevojshëm renovimin si për shembull në Dardani, Ulpianë dhe Qendër. Bashkë me Komunën do ta shtyjmë përpara këtë projekt, dhe deri në fund të vitit mendojmë të investojmë në 100 ndërtesa”, tha Kryeziu. Ai duke falenderuar punëtorët e NPB-së që më shumë përkushtim bënë punën e tyre, kërkoi nga qytetarët e Prishtinës që të formojnë Këshillin e Banorëve në ndërtesën ku jetojnë, për të plotësuar kështu kushtin e vetëm për investim në hyrjen e tyre.

Në vitin 2013, Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka kaluar ligjin përmes të cilit pronarët e banesave janë bashkëpronarë të hapësirës së përbashkët brenda gabaritit. “Prej atëherë, NPB nuk ka pasur mundësi të reagojë dhe t’iu del në ndihmë qytetarëve. Tash, kjo ndërmarrje është licencuar që t’iu ofrojë shërbime banorëve, dhe bashkë me Komunën ka përgatitur një plan përmes të cilit ofron pako të ndryshme të shërbimeve”, theksoi Ahmeti. Ai tha ky projekt “parasheh vendosjen e dyerve dhe hapjen e tyre përmes kartelave të koduara, interfonin, mirëmbajtjen e brendshme të hyrjes, lyerjen e objektit, e deri tek vendosja dhe mirëmbajtja e ashensorëve”.

Udhëheqësi i projektit, Drilon Pireva, foli për investimin konkret në “Hyrjen Model”, me ç’rast përmendi vendosjen e derës së re të hyrjes, vendosjen e interfonëve, lyerjen e mureve, instalimin e kabllove elektrike, vendosjen e ndriçimit të përbashkët, riparimin e parmakëve, e të tjera.

Në emër të banorëve të kësaj ndërtese, përfaqësuesi i Këshillit të Banorëve, Sadedin Prekazi falënderoi NPB-në dhe Komunën për realizimin e këtij projekti. “Asnjëherë në histori nuk ka pasur riparime të tilla kaq cilësore dhe kaq të thella. Falenderoj Ndërmarrjen, Komunën dhe banorët për këtë angazhimin që tashmë i solli frytet para”, tha Prekazi.

Na kontaktoni

Adresa: Rr. Zija Shemsiu Nr. 22. Prishtinë, Kosovë.

Lidhu me ne

Ne jemi në rrjetet sociale. Na ndiqni dhe na kontaktoni.