Lajme
Ndërmarrja Publike Banesore mirëpret vendimin e Ministrisë së Financave për zbatimin e urdhrit përmbarimor dhe pagesën e borxhit për pronat e shpronësuara të NPB-së
Ministria e Financave me datë 05.09.2018 ka marrë vendim për zbatimin e urdhrit përmbarimor në lidhje me kompensimin financiar për pronat e Ndërmarrjes Publike Banesore, të shpronësuara nga Qeveria e Kosovës me Vendimin Përfundimtar – Nr.09/29 dt. 03.08.2011, të cilat kanë qenë pjesë e trasesë për ndërtimin e rrugëve M9 Fushë Kosovë dhe M2 Prishtinë-Mitrovicë, më saktësisht segmentin Prishtinë-Milloshevë, tek rreth-rrotullimi në Prishtinë.
Pra, në bazë të këtij vendimi Thesari dhe Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave obligohet t’ia paguajë Ndërmarrjes Publike Banesore vlerën prej 8,053,356.75 euro, në emër të shpronësimit, duke i shtuar shkallën e interesit, e cila do të ndahet në tri vitet e ardhshme fiskale ( në pjesë të barabarta) nga Buxheti i Ministrisë së Financave.
Ndërmarrja Publike Banesore mirëpret Vendimin e nxjerrë nga Ministria për zbatimin vendimit gjyqësor i nxjerrur në procedurë përmbarimore dhe informon qytetarët e Komunës së Prishtinës se këto mjete do të zotohen për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Prishtinës.
21 shtator 2018
Ndërmarrja Publike Banesore