Lajme
Ndërmarrja Publike Banesore planifikon buxhetin 2019
Të martën, me datën 23 tetor 2018, është mbajtur seminari për planifikimin e buxhetit të Ndërmarrjes Publike Banesore për vitin 2019, në të cilën morën pjesë udhëheqës të departamenteve dhe divizioneve vendimmarrëse nën udhëheqjen e U.D Zyrtari kryesor i Financave dhe Thesarit të NPB-së Z. Bashkim Beha.
Temë kryesore e diskutimit në këtë seminar ishte planifikimi i buxhetit, me fokus të veçantë për tre Departamentet e reja të NPB-së, hapja e të cilave do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritje të stafit dhe punëve karshi nevojave dhe kërkesave që dalin nga krijimi i tyre.
Z. Beha, tha se buxheti si plan gjithëpërfshirës i të ardhurave dhe shpenzimeve ka një rol shumë të rëndësishëm për NPB-në. Tani me hapjen e tri Departamenteve të reja do të kemi të ardhura të reja buxhetore edhe nga Komuna e Prishtinës. Andaj, planifikimi i tij do të behët karshi normave dhe nevojave të departamenteve dhe divizioneve, qofshin ato të reja apo të vjetra, për t’i arritur objektivat ekonomike dhe sociale të cilat janë në interes dhe në të mirë të qytetarëve të Komunës së Prishtinës.
Po ashtu U.D. Kryeshefi Ekzekutiv, z. Hajdar Hoxhaj tha se transparenca e financave publike është një nga çështjet kyçe që prek strategjinë e menaxhimit të financave publike, synimi i të cilave është krijimi i një sistemi transparent, llogaridhënie të mirëfilltë, disiplinë fiskale, efikasitet në administrim dhe përforcim më të mirë të burimeve financiare të Ndërmarrjes Publike Banesore që të ofrohen shërbime sa më të mira për qytetarët e Komunës së Prishtinës.