Lajme

NPB-ja e vendosur ta ruaj pronën publike

Ndërmarrja Publike Banesore Sh.A. Prishtinë në muajin janar ka marrur vendim që ta bëjë harmonizimin e çmimeve të lokaleve të lëshuara me qira. Ky vendim është miratuar nga Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes. Duke qenë se një numër i qiramarrësve, kryesisht zejtarë, kanë kërkuar që një gjë e tillë të mos ndodhë, me datën 25 janar 2016 është mbajtur një takim në mes të Kryeshefit Ekzekutiv z. Nexhat Kryeziu, Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, dhe një grupi të qiramarrësve mes të cilëve ishin edhe përfaqësuesit e shoqatës së zejtarëve. Konkluzat e këtij takimi ishin:

  • Të formohet një komision i përbashkët i cili do ta përpiloi listën e zejtarëve dhe ta bëjë ri-shqyrtimin e çmimit të lokaleve të lëshuara me qira për këtë veprimtari.
  • Sigurimi i kontratës (3 qira neto) të mos zbatohet për qiramarrësit ekzistues.
  • Kategoritë e tjera të qiramarrësve mund të bëjnë kërkesë individuale për ndryshim të çmimit vetëm atëherë kur ta kenë shlyer borxhin apo ta kenë bërë një marrëveshje ri-programimi.
  • Të diskutohet çmimi i lokaleve të marra, si dhe mundësia për ofrimin e hapësirave shtesë, nga shoqatat humanitare dhe OJQ-të në mënyrë që të kenë përkrahje nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe nga Komuna e Prishtinës.

Pas këtij takimi, përfaqësuesit e Ndërmarrjes Publike Banesore sërish janë takuar me përfaqësuesit e shoqatës së zejtarëve, me ç’rast sërish janë dakorduar që pjesë e komisionit për identifikimin e lokaleve me veprimari zejtare të jenë edhe një ose dy përfaqësues nga shoqata e zejtarëve. Megjithatë, shoqata e zejtarëve nuk ka dërguar asnjë përfaqësues në këtë komision dhe puna ka vazhduar të kryhet nga përfaqësuesit e Ndërmarrjes Publike Banesore.

Nga ky komision, veprimtaritë që janë cilësuar si në zhdukje kanë pasur prioritet, pjesë e të cilave nuk janë konsideruar veprimtaritë si arpunues apo argjendar dhe fotokopje. Rrjedhimisht, komisioni ka konstatuar se nga 96 veprimtari të regjistruara si zejtare, 68 prej tyre mund të përzgjedhen si raste ku çmimi i qirasë nuk do të pësojë rritje por do të mbetet ai i fillimit. Gjithashtu, duke i respektuar konkluzat e nxjerra nga takimi i datës 25 janar, Ndërmarrja Publike Banesore i ka pranuar 26 kërkesa individuale për shqyrtim për ndryshimin e çmimit të qirasë, me ç’rast janë krijuar komisione të veçanta për secilin rast dhe është bërë analizimi i thuktë i specifikave të gjithësecilit rast.

Në ndërkohë, gjatë një periudhe dy javore, përfaqësuesit e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë zhvilluar takime me tri grupe të ndryshme që janë thirrur si “përfaqësues të shoqatës së zejtarëve.” Kërkesa e tyre ishte që të pezullohet vendimi për harmonizimin e çmimit të qirasë në tërësi.

Ndërmarrja Publike Banesore sërish e ka bërë të qartë arsyen dhe hapat që janë ndërmarrë para marrjes së këtij vendimi. Një ndër arsyet kryesore që ka iniciuar hapat e mëtejmë që kanë rezultuar me këtë vendim është fenomeni i nënqirasë, ku për shkak të çmimit shumë të ultë të lokalave të ndërmarrjes, palët që kanë marrur lokale me qira nga ndërmarrja, të njëjtat lokale, ua kanë dhënë me qira një pale të tretë, me ç’rast kanë përfituar nga diferenca në mes të qirasë që e kanë marrur nga kjo palë dhe qirasë që ia kanë paguar ndërmarrjes. Një gjë e tillë sanksionohet me kontratën që nënshkruhet me NPB-së si qiradhënës dhe qiramarrësit, dhe sanksionohet edhe me ligj si pasuri e kundërligjshme.

Gjithashtu, kujtojmë se NPB-ja ka angazhuar bashkëpunëtorë të jashtëm për hulumtimin e gjendjes në teren dhe më pas ka angazhuar një komision të brendshëm për harmonizimin e çmimeve. Për shkak të dallimeve të mëdha që janë gjetur edhe në bazë të raportit nga bashkëpunëtorët e jashtëm edhe nga komisioni i brendshëm për harmonizimin e çmimeve, nga ky i fundit, është propozuar të bëhet ndryshimi i çmimeve për m2, me ç’rast disa lokaleve u është rritur çmimi i qirasë. Megjithatë, edhe pas rritjes së çmimit të qirasë së disa lokaleve, ende çmimi i ofruar është shumë më i lirë se çmimi i ofruar nga sektori privat.

Ndryshimin e çmimores Ndërmarrja Publike Banesore e konsideron si një mjet tjetër përmes së cilit ruhet prona publike, duke e vështirësuar edhe më tutje potencialin e fenomenit të nënqirasë. Me ndryshimet e bëra deri tani, ne synojmë që t’i ndalim shkeljet e kontratës dhe veprimet e kundërligjshme që janë bërë qoftë nga individ apo grupe të interesit. Ne konsiderojmë se epoka e keqpërdorimit me pronën publike ka marrur fund. Rrjedhimisht, angazhohemi që ta ruajmë pronën publike prej çfarëdo tentimi për të abuzuar me të.

Ndonëse të gjitha ndryshimet që i kemi bërë, dhe synojmë t’i bëjmë, kanë për qëllim trajtim të barabartë dhe rritje të cilësisë për të gjithë, ne jemi të vetëdijshëm që mund të ketë ende pakënaqësi nga ndonjë palë e prekur nga ky vendim. Prandaj, mbetemi të hapur që sërish të diskutojmë me të gjitha palët e interesuara në mënyrë që të gjejmë mirëkuptim për çfarëdo ndryshimi që ka për qëllim progresin e mëtejmë.

Na kontaktoni

Adresa: Rr. Zija Shemsiu Nr. 22. Prishtinë, Kosovë.

Lidhu me ne

Ne jemi në rrjetet sociale. Na ndiqni dhe na kontaktoni.