Lajme
NPB për fuqizimin ekonomik të grave
Përfaqësues të Ndërmarrjes Publike Banesore pritën në takim Drejtoreshën Ekzekutive të QKRMT-së znj. Feride Rushiti.
Në takim u diskutua Projekti “Gratë në art” që është pjesë e programit Culture for Change i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë.
Ndërmarrja Publike Banesore në shenjë përkrahjeje ka vendosur që për këtë projekt të ofrojë hapësirën e duhur, duke dhënë në shfrytëzim një lokal pa qira, ku do të zhvillohen dy punëtori të qeramikës me nga 10 gra për një punëtori të organizuar nga QKRMT dhe shoqata artistike MONET.
Ky projekt ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të grave në punën me qeramikë me fokus në përgatitjen, dizajnimin, përpunimin dhe pjekjen e materialeve nga qeramika. Këto produkte që do të prodhohen nga gratë pas përfundimit të punëtorisë do të dalin në shitje.
Përkrahja e këtij projekti bëhet me qëllim të fuqizimit ekonomik të grave, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në veçanti, ngritjen e vetëdijes së opinionit për përkrahjen dhe përfshirjen e tyre ekonomike e sociale.