Lajme
Pas 30 viteve rifunksionalizohet Departamenti i Urgjencës në kuadër të Ndërmarrjes Publike Banesore
Ajo që e bën unik Departamentin e Urgjencës të NPB, është përfshirja në pothuajse çdo aspekt të jetesës së përditshme të qytetarëve të Prishtinës. Ky departament do të ofroj shërbime të shpejta me cilësi të lartë për komunitetin si: sanim dhe mirëmbajtje të infrastrukturës rrugore, mirëmbajtje të rrjetit të kanalizimit fekal dhe atmosferik, riparim dhe mirëmbajtje të hapësirave publike si dhe shërbime të tjera për nevojat publike dhe private në çdo kohë (24/7) në turne të ndryshme.
Përgjatë zhvillimit të këtij departamenti janë konsultuar përvojat më të mira të qyteteve në Bashkimin e Evropian si dhe të kryeqyteteve të rajonit si Tirana dhe Zagrebi.
Sipas praktikës së kryeqyteteve në fjalë kemi vërejtur se intervenimet urgjente ekzekutohen përmes kompanive publike. Arsyeja kryesore e kësaj praktike del të jetë shpejtësia në intervenime. Adresimi i shpejt i problemeve dhe zgjidhja e tyre në afat të shkurtër ka dëshmuar të jetë shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen normale të punëve në një qytet.
NPB synon që të ketë projekte të qëndrueshme të cilat fokusohen në përmbushjen e nevojave të tanishme të shoqërisë, pa e komprementuar mundësinë që edhe gjeneratave të ardhshme t’i përmbushen këto nevoja.